Një makth i kthyer në realitet! Krijohet roboti i parë i “dhunshëm”
Një kompani nga Kalifornia ka zbuluar një robot të krijuar enkas për të shpuar njerëzit me gjilpërë, duke u kthyer kështu në pajisjen e parë teknologjike e krijuar për t’i bërë keq njerëzve.
Teksa rrezikon të shkaktojë një debat të gjerë etik, ky krijim bie drejtpërdrejt ndesh me rregullin e parë dhe të dytë të biokimistit Isaac Asimov, mbi robotikën:
“Robotët nuk mund t’i bëjnë keq njerëzve” dhe “Një robot duhet t’i bindet urdhërave të njerëzve, përveç rasteve kur këto urdhëra do të krijonin konflikt me ligjin e parë”.
Por krijuesi i këtij roboti, Alexander Reben nga Stochastic Labs në Berkeley të Kalifornisë, vendosi që ta kthente realitet këtë makth, pasi vuri re se shumë njerëz nëpër botë ndajnë të njëjtën frikë sa i përket robotëve.
Siç shkruan “ScienceAlert”, ndonëse nuk është i sigurtë, Reben thotë se kjo frikë mund të vijë nga fakti se makinat kanë kapacitetin për t’u kthyer në rrezik fizik për njerëzit. Por ai nuk lë mënjanë edhe teoritë e ndryshme që flasin për robotët të cilët në një të ardhme do t’i zenë njerëzve vendin e punës dhe ndoshta do t’i “zaptojnë” edhe planetin.
Ndaj, për të “detyruar” njerëzit që të përballen me këto frikëra, Reben krijoi robotin e parë në botë, i aftë për të krijuar dhimbje./tvklan.al