Video/Surpriza për 60-vjetorin e trajnerit Gianni De Biasi
Ditëlindja e 60-të e Gianni De Biasi është festuar të enjten në Perros Girek. Një tortë me flamurin kuqezi ishte surpriza për trajnerin e Shqipërisë, i cili shpreson të marrë dhuratën në takimin me Rumaninë.
Gianni De Biasi, Trajner i Kombëtares: “Dëshiroj që të dielën të kualifikohemi. Djema duhet t’iu them se jam shumë i lumtur se si u përballëm në dy ndeshjet e para, pasi meritonim më shumë dhe jo gjithmonë shpëblehesh për atë që tregon në fushë dhe unë mendoj se meritonim pikë si me Zvicrën dhe me Francën. Jam krenar që jam trajneri juaj dhe se ju kam zgjedhur, por dua që të ndjehem krenar që të shikoj një ndeshje të dielën, pavarësisht rezultatit ashtu siç luajtët me Francën.”
Ditëlindja e De Biasi e ktheu ditën pas humbjes, një ditë feste dhe urimesh, pa harruar sfidën e së dielës. Armand Duka,President i FSHF-së:“Unë jam i kënaqur për atë që kemi arritur dhe kemi treguar. Unë edhe një herë i uroj trajnerit jetë të lumtur.”
Një suprizë Gianni De Biasi iu bë edhe në Bashkinë e Perros Girek, ku kreu i saj bëri edhe pak humor me rezultatin e takimit me Rumaninë. Ai i vendosi numrat e qirinjve ne tortë jo për të formuar 60-ën, por 0 – 6, duke sqaruar se kjo ishte fitorja që do të dëshironte kundër Rumanisë.“0 – 6, ky është rezultati i ndeshjes me Rumaninë në favorin tuaj.”
Gianni De Biasi është trajner i Shqipërisë prej më shumë se 4 vitesh. Ai u bë pjesë e Kombëtares në fundin e 2011 si pasardhës i Josip Kuze. Tv Klan