Nis rikonstruksioni i shkollës “Luigj Gurakuqi”
Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi”, në Shtator do t’i mirëpresë fëmijët me aftësi të veçanta në ambiente të reja. Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e godinës, të ndërtuar në vitin 1994. Në përfundim ajo do të ketë të integruar klasa speciale dhe kënd lojrash.
“Duam që Shtatori të na gjejë me një shkollë plotësisht të rikonstruktuar, të na gjejë me një kënd lojërash për fëmijët dhe me klasa speciale për fëmijët, sidomos për ata që janë me sindromën “Down” apo që kanë nevojë për ndihmë me autizmin”-
tha Veliaj.
Në kuadër të projektit për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave të reja, vitin që vjen kryebashkiaku Veliaj kërkoi lirimin e çdo hapësire publike pranë shkollave.
“
Dua tu bëj thirrje qytetarëve që kanë zënë hapësirat publike në shkollat tona, qofshin këto konvikte të shkollave speciale apo profesionale, se duhet t’i lirojnë ato. Bashkia e Tiranës ka një skemë shumë bujare ndihme me banesat sociale, me bonus qiraje apo asistencë sociale”-
shtoi kryebashkiaku.
Shkolla “Luigj Gurakuqi” është e vetmja shkollë speciale ku mësojnë fëmijë me aftësi ndryshe në Tiranë. Pas përfundimit të rikonstruksionit, ajo do të jetë pjesë e projektit shkolla si qendra komunitare.
Tv Klan