Angli, zbulohet vrasësi tjetër shqiptar
Një shqiptar i dënuar me 15 vjet burg në Shqipëri ka mundur të hyjë sërish në Britaninë e Madhe, pavarësisht se ishte ekstraduar 5 vjet më parë. Ardian Rragami, 45 vjeç, hyri në Angli me një pasaportë kosovare në vitin 1998, pasi kishte vrarë një person në vendlindjen e tij, në Shkodër.
Në Shqipëri, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qemal Kola, pas një sherri banal në një lokal. Në shtator të vitit 2009 ai u ekstradua dhe iu dorëzua drejtorisë së burgjeve në Rinas. Nën emrin Ardian Gashi, kishte përfituar azil në Angli dhe punonte në një firmë ndërtimi në Eseks, ku u zbulua nga Interpoli. Pasi përfitoi ulje dënimi në Apel, ai u bashkua me familjen e tij në Hertfordshire në vitin 2014. Mediat britanike po e ndjekin rastin e tij, pasi vlerësojnë se Anglia është kthyer në strehën e vrasësve shqiptarë. Zyra e Punëve të Brendshme në Britaninë e Madhe i tha gazetës “Daily Mail” se ai është ndaluar dhe se po ndiqeshin procedurat për ta dëbuar sërish Rragamin, për shkak të “dënimit të tij”. Kjo ngjarje vjen pak dite pasi ne Britani kane nisur procedurat per deportimin e nje tjeter vrasesi shqiptar. Ilir Metra, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve në Burrel, në vitin 1996, refuzon ekstradimin. Avokatja Helen Dauson tha në gjykatë se ai ka frikë nga persekutimi dhe hakmarrja, se kishte bërë një jetë të qetë për 18 vjet në Angli dhe se ishte mjaft i lidhur me 4 fëmijët e tij. /TV KLAN