Mbyllet referendumi për daljen e Britanisë nga BE
Në orën 22:00 me orën lokale, u mbyllën qëndrat e votimit në Britaninë e Madhe, ku më shumë se 46 milionë qytetarë morën pjesë në referendumin për qëndrimin apo daljen e vendit nga Bashkimi Europian, një pjesëmarrje rekord për vendin ishullor.
Në ndryshim nga zgjedhjet e përgjithshme në Britaninë e Madhe, referendumi nuk u shoqërua me një Exit Poll. Rezultatet zyrtare pritet te dalin mëngjesin e së premtes, por kompanitë e sondazheve kryen përllogaritjet e tyre.
Pjesa më e madhe e sondazheve flasin se kampi pro qëndrimit, apo e ashtuquajtura “Remain”, kryeson referendumin me një diferencë nga 5 deri në 10 pikë përqindje.
Më herët, dy institute të tjera përllogaritjesh pretendonin se kryesonte ngushtë kampi për largimin nga blloku europian.
Vendimtare ishin votat e rreth 11% të personave që ishin të pavendosur deri në momentet e fundit.
Në ditën e një referendumi britanik nuk mund të mungonte as kuotimi në kompanitë e basteve. Sipas “Financial Times”, që i referohet kompanive prestigjoze të basteve në vendin ishullor, 84% e bastexhinjve britanikë vendosën para pro qëndrimit të vendit në BE.
Pyetja që iu drejtua britanikëve ishte e prerë: Britania e Madhe duhet të qëndrojë apo të largohet nga Bashkimi Europian.
Kjo ishte hera e tretë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar që qytetarët vendosën me referendum për të ardhmen e tyre.
Tv Klan