Kukan: Avancimi i reformës pa opozitën, i gabuar
Eduard Kukan, raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe një nga negociatorët për ligjin e dekriminalizimit i meshon nevojës së arritjes së konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi. Në një intervistë për Televizionin Klan, ai thotë se avancimi i reformës kundër qëndrimit të një apo disa partive politike është i gabuar dhe se drafti s’mund të shkojë për votim pa pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.
Eduard Kukan:
“Më duhet të them, që është e nevojshme që të gjitha forcat politike të përfshihen në marrjen e vendimit të finalizimit të reformës në drejtësi. Pra, të avancosh kundër një qëndrimi të një partie ose disa partive politike për këtë reformë, do të ishte e gabuar. Për një reformë të tillë kaq të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse që synon të ndryshojë jetën e shqiptarëve, nuk mund të imagjinoj që të finalizohet, aprovohet apo të shkojë për votim pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend”.
Një ditë më parë Kukan dhe raportuesi tjetër, Knut Fleckenstein, përmes një materiali të shpërndarë nga zyra e shtypit të Partisë Demokratike u shprehën se trafikimi i votës në Kuvend është i papranueshëm nga Europa.
Knut Fleckenstein:
“Miratimi i reformës në drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si cështje. Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”.
Eduard Kukan:
“Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është reforma në drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjeshtë e paimagjinueshme në Parlamentin Europian”.
Nga ana tjetër Fleckenstein u shpreh se e kupton shqetësimin e opozitës për kapjen e sistemit, por theksoi se vendet e rezervuara që ajo kërkon, vendosin lidhje mes politikaneve dhe anëtareve të institucioneve të drejtësisë. / TV KLAN