Basha reagon pas letrës së Ambasadorit Lu


Basha reagon pas letrës së Ambasadorit Lu

19:12 28/06/2016

Një ditë pas letrës së hapur të Ambasadorit amerikan, që bënte përgjegjës Lulzim Bashën, për mos arritjen e një konsensusi për Reformën në Drejtësi, Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar me një deklaratë, ku thotë se opozita, jo vetëm që nuk ka refuzuar negociatat, por ka bërë edhe propozimet e saj për zgjidhjen e ngërçit.

“Kemi qenë elastikë deri në kufijtë ekstremë, duke toleruar në shumë aspekte, procese dhe variante të cilat, ndonëse me pikëpyetje të shumta, gjithsesi mbeteshin brenda standardeve minimale, apo kufijve të përcaktuar nga Komisioni i Venecias. Kjo nuk do të thotë se nuk pranuam të vijojmë konsultimet, diskutimet, negociatat për variante që zbatojnë rekomandimin 88 të Venecias. Këtë bëmë edhe në Maj, këtë bëra edhe në takimin me Edi Ramën, edhe në atë me Ilir Metën, këtë kam bërë gjithë këto javët e fundit, unë dhe bashkëpunëtorët e mi opozitarë”.

Lidhur me pretendimet konkrete të Ambasadorit Lu, se opozita nuk ka pranuar tre zgjidhjet e kompromisit, bazuar në paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit të Venecias, Basha thotë se çdo variant ka qenë në kundërshtim me Rekomandimet e Venecias.

“Kam marrë propozime, por kanë qenë e njëjta prerje, në shmangie të rekomandimit 88 të Venecias, veçse me veshje të ndryshuar. Nuk ka si të jetë i arsyeshëm asnjë propozim që ndërsa me një dorë jep 3/5 apo 2/3-tat e votimit në Kuvend, me dorën tjetër e zhbën këtë kuorum, përmes një mekanizimi që i jep qeverisë kontrollin e hartimit të listave, duke përjashtuar opozitën tërësisht nga çdo rol”.

Më tej, Basha thotë se është në komukimin intensiv me faktorët relevantë në Washington, Bruksel, Berlin, Paris, Rome dhe Londër, të cilët sipas tij, janë shprehur qartë kundër miratimit të reformës, me vota të trafikuara.

“Qeverisë i kanë ardhur mesazhe të qarta që të harrojë shantazhin dhe trafikun e votave, të kërkojë e japë konsensus për një reformë sipas rekomandimeve të Venecias. Mesazhe të këtilla do të vijojnë edhe më fort, edhe më shpesh, edhe më qartë. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për një reformë të qëndrueshme në Drejtësi, që i shërben qytetarëve dhe jo pushtetit”.

Sipas kreut të opozitës, rekomandimet e Venecias janë tabani i standardeve europiane, poshtë të cilave nuk mund të zbresë askush.

Nuk pranuam dje, nuk pranojmë sot e nuk do të pranojmë nesër

, thekson në letrën e tij Basha.

Tv Klan






Të ngjashme