Cameron: Nuk ia kthejmë shpinën BE -së


Cameron: Nuk ia kthejmë shpinën BE -së

19:28 28/06/2016

Për herë të parë që prej referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, liderët e vendeve anëtare u mblodhën në Bruksel për të diskutuar mbi të ardhmen e bllokut.

Në takimin e liderëve europianë, mori pjesë edhe Kryeministri David Cameron, i fundit për një kryeministër britanik. Cameronit iu rezervua një pritje e ngrohtë nga krerët më të lartë të Bashkimit Europian.

Shefi në detyrë i Downing Street, deklaroi se shpreson që dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian të kryet në mënyrën më konstruktive të mundshme.

“Edhe pse po largohemi nga Bashkimi Europian, nuk po i kthejmë kurrizin Europës. Këto vende janë fqinjët, miqtë, aleatët dhe partnerët tanë dhe unë shpresoj se do të kemi marrëdhënie të ngushta tregtare dhe bashkëpunim në çështjet e sigurisë në të mirën e përbashkët”,

tha Cameron.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha përpara gazetarëve se Bashkimi Europian ka forcën për të tejkaluar largimin e Britanisë dhe për të vijuar përpara.

Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, theksoi se Brukseli është i gatshëm të nisë procedurat e shkëputjes së Britanisë që sot dhe lajmëroi një Samit në muajin Shtator, këtë herë më 27 vende anëtare.

Tv Klan






Të ngjashme