Foto – Video/Terror në Stamboll, 42 të vrarë dhe mbi 239 të plagosur


Foto – Video/Terror në Stamboll, 42 të vrarë dhe mbi 239 të plagosur

00:00 29/06/2016

Të paktën 42 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 239 të tjerë të plagosur, në sulmet e ndodhura në aeroportin Ataturk të Stambollit mbrëmjen e së martës.

Tre persona mbërritën me taksi në aeroport dhe nisën të qëllonin me armë në hyrje të tij. Ata u vetëhodhën në erë pasi policia iu kundërpërgjigj.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes treguan për një përleshje mes një polici dhe një prej kamikazëve, pak sekonda përpara se një prej shpërthimeve të trondiste terminalin.

Deri më tani nuk dihen ende përgjegjësit, megjithatë sipas raportimeve të ndryshme, pas sulmeve qëndrojnë militantët e Shtetit Islamik.

Pjesa më e madhe e viktimave janë me kombësi turke, por mes tyre mësohet se ka edhe të huaj.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes raportojnë për skena tronditëse. Me dhjetëra të plagosur dhe panik në aeroport.

Ministri i Drejtësisë, Berik Bozdag deklaroi fillimisht se të paktën 10 persona kishin vdekur dhe 20 të tjerë ishin plagosur.

Bozdag tha se njëri prej kamikazëve hapi fillimisht zjarr me kallashnikov dhe më pas u vetëhodh në erë në hyrje të aeroportit.

Në total, sipas CNN, dyshohet se ka patur dy shpërthime. Njëri prej tyre ishte jashtë terminalit, ndërsa tjetri në hyrje të aeroportit.

Sipas autoriteteve, nuk ka patur shpërthime në brendësi të aeroportit.

Në një video të postuar në Twitter, shfaqen pamje brenda terminalit të aeroportit, me dhjetëra persona që po ecin dhe më pas një shpërthim.

Një zyrtar turk i tha CNN se në përpjekje për të neutralizuar të dyshuarit, policia hapi zjarr.

https://www.youtube.com//embed/5n4_oPwMu5I

Në disa video të postuata në rrjete sociale, dallohen udhëtarët që shtrihen përtokë ndërkohë që në sfond dëgjohen breshëri të shtënash.

Aeroporti Ataturk konsiderohet si një ndër më të sigurtët në vend.

Ky aeroport ndodhet në lindje të Stambollit dhe është i 11 në botë ndër më të populluarit, sidomos gjatë sezonit veror.

Turqia është tronditur nga disa sulme terroriste përgjatë vitit të fundit, si nga militantët e të ashtuquajturit Shteti Islamik, ashtu sikurse edhe nga militantët kurdë.

Në Mars, një sulm me autobombë i mori jetën të paktën 37 personave. Një makinë shpërtheu pranë një stacioni autobusi në kryeqytetin turk, Ankara. Sulmi u mor përsipër nga militantët kurdë.

6 ditë më vonë, një kamikaz i ISIS u hodh në erë në një prej rrugët kryesore të Stambollit, duke vrarë 4 persona.

Një muaj më vonë, 28 veta u vranë në një shpërthim që kishte objektiv të sulmit një automjet ushtarak në qendër të Ankarasë. Përgjegjësinë për këtë sulm e morën militantët kurdë.

Në Janar, të paktën 10 turistë gjermanë u vranë, pas një sulmi kamikaz në sheshin Sultanhamet të Stambollit, që sipas autoriteteve turke u ndërmor nga militantë të ISIS./tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/4TBw6zGlB2c






Të ngjashme