Grabitje me armë në pistën e aeroportit të Rinasit


Grabitje me armë në pistën e aeroportit të Rinasit

19:30 30/06/2016

Paratë e një banke të nivelit të dytë u grabitën me armë, teksa po transferoheshin nga aeroporti i Rinasit jashtë vendit. Grabitja ndodhi rreth mesditës, në pistën e aeroportit, ndonëse një ditë më parë, policia kishte njoftuar rritjen e parametrave të sigurisë, pas sulmeve terroriste të Stambollit.

Tre persona të armatosur prenë menteshat e një prej portave hyrëse, që të çojnë në pistën e aeroportit dhe më pas hynë me një automjet. Në të njëjtën kohë, nga terminali ishte nisur makina e kompanisë së ruajtjes fizike "Nazeri 2000", që transportonte disa miliona euro të një banke të nivelit të dytë, drejt avionit që do t'i transferonte paratë jashtë vendit.

makina

Tre personat, pasi i prenë rrugën makinës së blinduar, nën kërcënimin e armëve morën thasët me para dhe u larguan nga e njëjta derë. Nuk sqarohet nëse ka patur të shtëna me armë, por ekspertët janë duke punuar për të konfirmuar dyshimet.

Autorët u larguan më pas drejt Fushë - Prezës, ku edhe i vunë flakën makinës tip Benz për të humbur gjurmët. Automjeti i djegur u gjet disa minuta më vonë nga policia, në arat e zonës.

makina ok

Në zonën ku ndodhi grabitja zbarkoi thuajse e gjithë Policia e Tiranës, disa grupe të FNSH dhe forcat RENEA. Ndërkohë, edhe Policia e Durrësit është e angazhuar në aksionin për kapjen e autorëve. Blutë po krehin të gjithë zonën, pas dyshimeve se grabitësit nuk mund të kenë ikur larg. Në ndihmë të forcave në terren, dy helikopterë monitorojnë nga ajri zonën.

Ndërkohë, punonjësit e Policive private, që shoqëronin paratë, janë ndaluar dhe po merren në pyetje në Drejtorinë e Policisë. Grabitja është xhiruar nga dy kamera sigurie, të cilat janë sekuestruar dhe nga aty mund të ndërtohet një identikit i tre autorëve.

Tv Klan





Të ngjashme