I mituri vret aksidentalisht babain me çifte
Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në Fier. Një person është gjetur i vrarë në pyllin e fshatit Vlosh të Rroskovecit, i qëlluar me armë zjarri.
Viktima është Karafil Rrapushi dhe sipas policisë, ai ka gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale, pasi është qëlluar nga djali i tij 8 – vjeçar, me iniciale F. Rr.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:15, ku fillimisht policia e Fierit është njoftuar se, në pyllin e fshatit Vlosh, të Rroskovecit, ujku kishte ngrënë një person, i cili më pas kishte gjetur vdekjen.
Më pas, nga policia është bërë e mundur zbulimi i dinamikës së vërtetë të ngjarjes.
Karafil Rrapushi ka dalë në pyllin e fshatit për të mbledhur bimë medicinale dhe është ulur për të pushuar, ndërkohë i biri ka marrë armën e gjahut dhe ka filluar të luajë dhe pa dashje ka realizuar shkrepjen, e cila ka shkaktuar vdekjen babait.
Vetë fëmija 8 – vjeçar ka njoftuar familjarët për vdekjen e të atit dhe ka sajuar ngjarjen fillimisht me qëllim mbulimin e saj nga frika, më pas ka treguar të vërtetën.
Me fëmijën e mitur po kryhen veprimet në prezencë të psikologut dhe avokatit./tvklan.al