Grabitja e 1 milion eurove, arrestohen 5 punonjës së sigurisë në aeroportin e Rinasit
Prokuroria e Krujës ka urdhëruar ndalimin e 5 drejtuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë së aeroportit të Rinasit, në vijim të hetimeve të nisura për vjedhjen e 1 milion eurove në pistën e fluturimeve, mesditën e së enjtes.
Me urdhër të organit të akuzës, policia ka ndaluar ditën e sotme, Arben Karafili, Drejtor Operacional i kompanisë “ICTS”, Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë), Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë), Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë, Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit.
Prokuroria e Krujës ka nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen dhe në bazë të veprimeve të deritanishme, drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurimit “ICTS” dyshohet se kanë shpërdorur detyrën, duke krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave, në mjetin që transportonte vlerat monetare në drejtim të bordit të një avioni.
Akuza ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të aeroportit të Rinasit.
Ndërkohë, hetimi për vjedhjen po kryhet nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ka dyshime se vepra penale është konsumuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./tvklan.al