Rritet numri i refugjatëve drejt kufirit shqiptar
Policia kufitare shqiptare bllokoi sot 10 shtetas të huaj, në afërsi të Kapshticës, të cilët synonin të hynin në territorin shqiptar nga Greqia. Sipas policisë, 5 emigrantë ishin sirianë dhe 5 irakianë. Policia tha se emigrantët janë riatdhesuar në Greqi, pas praktikave identifikuese.
Një ditë më parë, policia greke njoftoi arrestimin e 5 personave, të cilët u përpoqën të transportonin ilegalisht drejt kufirit shqiptar 87 refugjatë, midis tyre 46 fëmijë, duke marrë 5.000 dollarë për çdo person. Policia greke tha se kishte zbuluar edhe një autobus me targa të huaja, të cilin e drejtonte shtetasi grek dhe me të cilin do të kryhej transporti drejt kufirit me Shqipërinë. 4 personat e tjerë të arrestuar, nga hetimet paraprake, kishin marrë përsipër të sillnin emigrantët nga kampet ku ata ndodheshin, deri tek autobusi.
Në veri të Greqisë ndodhen tre qendra strehimi të refugjatëve sirianë, me mbi 2000 refugjatë, njëra prej të cilave në afërsi të Janinës, një qytet rreth 60 kilometër larg kufirit shqiptar. Policia greke ka shtuar patrullimet në kufi për të parandaluar një fluks të mundshëm të refugjatëve.
Pjesa dërrmuese e sirianëve dhe refugjatëve nga vende të tjera hyjnë nga Greqia drejt Shqipërisë në një qëndrim tranzit në Shqipëri duke u përpjekur të udhëtojnë më tej drejt vendeve europiane dhe kryesisht drejt Gjermanisë. Përmirësimi i motit dhe shtimi i qarkullimit turistik rrezikon sipas policive kufitare greke dhe shqiptare depërtimin e grupeve më të mëdha të refugjatëve në kufi.
Zëri i Amerikës