TIA: Policia u njoftua në kohë për grabitjen
Katër ditë pas grabitjes në Rinas, “Tirana International Aiport” ka reaguar për herë të parë për ngjarjen. Duke iu përgjigjur deklaratave të policisë se, ajo u njoftua 5 minuta pasi ishte larguar makina e grabitësve, Drejtoresha për mediat Arlinda Çausholli tha se TIA ka raportuar ne polici kur grabitësit ishin ende në pistë dhe se punonjës të policisë kanë qenë prezent në pistë në atë moment, pak metra larg vendit ku ndodhi grabitja.
Sipas Aeroportit të Rinasit, përgjegjësia për ruajtjen, rendin dhe sigurisë publike në territorin jashtë gardhit rrethues të aeroportit, nga ku ka hyrë makina, është e Policisë së Shtetit.
Arlinda Çausholli, Drejtoreshë e Komunikimit, TIA: “
Theksojmë, se njoftimi i TIA-s për policinë, është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qenë prezent në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit, mbi raportimin – më së paku të pasaktë – të ngjarjes në fjalë. Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet të sigurojë patrulla me të gjitha mjetet, përfshirë ato këmbësore, në të gjitha zonat e aeroportit, duke parandaluar çdo incident dhe aktivitet të paligjshëm”.
Kompania koncesionare e aeroportit ka shpjeguar se kompania ICTS, që ofron sigurinë në aeroport, operon e paarmatosur dhe nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht.
Arlinda Çausholli, Drejtoreshë e Komunikimit, TIA: “
Kompania ICTS – është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim i cili as nuk e zëvendëson dhe as nuk e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit. ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është Policia e Shtetit. TIA do të kishte dashur që etika e konfidencialitetit, e bazuar në ligj të shkruar e të pashkruar, të respektohej nga të gjitha organet shtetërore. Në këtë incident të rëndë, në rast se qëllimi është shfajësimi, pasojat do të jenë shumë më të rënda se grabitja. Aeroporti është i të gjithëve.
”
TIA thotë se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë, që hedhin dritë mbi ngjarjen e 30 qershorit në Rinas, ku tre grabitës vodhën 1 milion euro. /TV KLAN