Kërkimet për shqiptarin Aleks Burreli, atentati ndaj biznesmenit ishte përgatitur në Maj
Atentati kundër biznesmenit vendas Fotis Kalopsidhiotis, kishte nisur të organizohej në muajin Maj, atëherë kur dy shtetasit shqiptarë, Jani Vogli dhe Aleks Burreli kishin mbërritur në ishullin e Qipros.
Sipas dëshmive të dy prej të arrestuarve për ngjarjen, ata kishin qëndruar në një apartament afër Nikosias, ndërsa çdo ditë mbikqyrnin në distancë viktimën e ardhshme. Bashkë me ta ndodhej vazhdimisht edhe një shtetas qipriot, që sipas të gjitha gjasave ishte porositësi i ekzekutimit të biznesmenit.
Një prej atentatorëve shqiptarë, Jani Vogli, mbeti i vrarë në vendngjarje. Ekspertiza balistike rezultoi se ai ishte qëlluar prej bashkatdhetarit të tij, Aleks Burreli.
Pas ngjarjes, Burrelin e ka marrë me makinë një çift qipriotësh dhe e kanë kthyer në të njëjtin apartament, në Nikozia. Por ai ka qëndruar vetëm një natë e pastaj është larguar për në qytetin e Limasolit. Ndërkaq, nuk ka preferuar të qëndrojë aty, po është kthyer sërish në kryeqytet, ku policia mendon se vazhdon të qëndrojë i fshehur.
Gjithsesi, mendohet se viktimën e tradhëtoi badigardi i tij serb, që aktualisht po mbahet në paraburgim. Sipas deponimit të një gruaje, e cila gjithashtu është arrestuar, serbi Loy Dejan foli me dikë në telefon, pak sekonda para atentatit dhe pastaj u ngrit e u largua, duke qëndruar i fshehur në tualetin e lokalit, derisa pushuan krismat.
Tv Klan