Investim 442 mln lekë për sanatoriumin, Rama: Investimet për të konkurruar privatin
Në 33 muaj, falë investimit të 442 milionë lekëve në infrastrukturë dhe pajisje Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë, ka marrë një tjetër pamje. Tanimë, këtij spitali mund t’i drejtohen të gjithë ata që vuajnë e kërkojnë trajtim për sëmundjet e brendshme, të zemrës dhe ndërhyrje të kirurgjisë së përgjithshme.
Prof. Dr. Perlat Kapisyzi, Drejtori i spitalit:
Spitali ynë universitar “Sheqet Ndroqi” ka rreth dy vjet, i cili nga një spital i sëmundjeve të mushkërive, është kthyer në një spital të sëmundjeve të përgjithshme, spital rajonal dhe spital universitar.
Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:
Që nga shtatori vjet, ne ofrojmë këtë shërbim dhe këtu, që na ka ndihmuar shumë për të ulur radhën e pritjes. Me çfarë kemi bërë në QSUT dhe me çfarë kemi bërë dhe këtu, praktikisht, për tre vjet radha e pritjes nga 6 muaj ka ardhur në 30-35 ditë.
Kryeministri Edi Rama pa disa nga pavijonet e reja të sëmundjeve të ndryshme. Sipas tij ky spital është konkurrues me privatet.
Edi Rama, Kryeministër:
E bëjmë me shumë kënaqësi këtë fotografi familjare me një ekip vërtet mbresëlënës, që ka arritur në një periudhë kohe relativisht të shkurtër të përmbysë një histori të hidhur shumëvjeçare rrënimi të këtij spitali kaq të rëndësishëm dhe jo vetëm kaq, por dhe ta transformojë këtë spital në një shtëpi mikpritëse, me infrastrukturë bashkëkohore dhe më një shërbim të kualifikuar e të përkushtuar ndaj të gjithë atyre që vijnë këtu për t’u vizituar. Nuk është më sanatoriumi i dikurshëm, por është një spital rajonal që është pasqyra e ambicies sonë për një shëndetësi të rilindur, për një shërbim publik shëndetësor që nuk i lë asgjë mangët punës e që konkurron denjësisht me çdo spital privat në Tiranë.
Krahas rikonstruksionit të plotë të infrastrukturës, është bërë edhe pajisja me aparaturat më bashkëkohore për reanimacionin e kardiologjisë, hemodinamikës, të imazherisë, etj. /TV KLAN