Veliaj: Kombinati poli i dytë industrial, Tirana do të rrethohet nga 2 mln pemë


Veliaj: Kombinati poli i dytë industrial, Tirana do të rrethohet nga 2 mln pemë

12:05 07/07/2016

Bashkia e Tiranës ka zgjedhur Kombinatin për të startuar dëgjesat publike rreth planit të përgjithshëm vendor të kryeqytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se kjo zonë duke përfshirë edhe Misto Mamen e Yzberishtin, parashikohet të pësojë ndryshimet më të mëdha për t’u kthyer në polin e dytë industrial të qytetit.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës:

“Propozimi i parë është që t’i japim zonës së Kombinatit trajtën e një qyteti brenda qytetit, duam që segmenti Kombinat-Vaqarr të shpallet zonë e re industriale. Jemi shumë të gatshëm të negociojmë një sistem taksash më favorizues, nëse bizneset do të pranojnë të dalin nga qendra e Tiranës dhe të vijnë këtu, ku taksat janë më të ulëta; pra të inkurajohen financiarisht”

Për të ndryshuar situatën e pastërtisë së ajrit dhe mjedisit, është menduar rrethimi  i Tiranës me një pyll që do të përmbajë 2 milionë pemë.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës:

“Kemi marrë vendimin e guximshëm për ta rrethuar qytetin e Tiranës me një pyll me pemë. Një pjesë e madhe e pyllit orbital do të rrethojë plotësisht zonën e Kombinatit dhe do të ndahet në disa breza. Kombinati, si zonë periferike, është përfituesja kryesore e gjithë segmentit të pyllit orbital që do të rrethoje Tiranën”.

Një risi tjetër e këtij plani, e cila që prek në mënyrë direkte zonën e Kombinatit, është edhe zhvillimi i parkut të Liqenit të Vaqarrit. /TV KLAN






Të ngjashme