Korrupsioni, Prokuroria kërkon 5 vite burg për ish-gjyqtarin e Sarandës


Korrupsioni, Prokuroria kërkon 5 vite burg për ish-gjyqtarin e Sarandës

14:50 08/07/2016

Pesë vite burg dhe 3 vjet heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike ka kërkuar Prokuroria për Krimet e Rënda për gjyqtarin Rasim Doda.

Ai akuzohet për korrupsion, pasi sipas prokurorisë i kërkoi 80 mijë euro ryshfet një qytetari në këmbim të një vendimi në favor të tij.

Madje sipas provave të sjella nga organi i akuzës, në këtë proces gjyqësor, gjyqtari Doda një ditë para seancës së fundit i ka vënë në dispozicion palës që pritej të paguante paratë dispozitivin e vendimit.

Por duke qenë se nuk mori pagesën, gjyqtari ndërroi dispozitivin, duke dhënë një tjetër vendim këtë radhë në favor të palës kundërshtare.

Hetimi ndaj të pandehurit u zhvillua fillimisht nën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe më tej në “arrest në shtëpie” pasi Gjykata e Apleit ndryshoi masën.

Ndërkohe, ish-gjyqtari i Sarandës nuk e ka pranuar akuzën ,duke sqaruar në seancat gjyqësore se ky është proces gjyqësor i montuar. /TV KLAN






Të ngjashme