
Francesco Becchetti nuk do të ekstradohet
Një Gjykatë në Londër ka vendosur për të mos ekstraduar biznesmenin italian, pronarin e Agon-Channel dhe presidenti i ekipit anglez të futbollit Leyton Orient, Francesco Becchetti.
Gjykatësja Nina Tempia ka vendosur në favor të Becchetti-t, ndërsa avokatët e palës shqiptare kanë deklaruar se do ta çojnë çështjen në apel. Për këtë gjë ata kanë 14 ditë kohë, shkruan eurosport.com.
Më herët avokatët e Becchetti-t kanë argumentuar se aksioni i qeverisë shqiptare ndaj klientit të tij, është i motivuar politikisht duke kërkuar pushim të çështjes.
Por pala shqiptare ka deklaruar se nuk ka asnjë prapavijë politike dhe qëllim i esktradimit është vetëm për ndjekje penale.
Në fillim të muajit Nëntor Becchetti u arrestua në Britani, pas disa muajsh nga shpallja e tij në kërkim në Shqipëri.
Pas ndalimit, sipërmarrësi italian është paraqitur përpara një gjykate angleze, ku është njohur me udhër-arrestin ndërkombëtar.
Prokuroria e Tiranës e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar Francesco Becchettin që në Qershor 2015, për akuzat e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitimi të paligjshëm të parave” dhe për “pastrim parash”./tvklan.al