Theresa May përballë Andrea Leadsom


Theresa May përballë Andrea Leadsom

14:51 08/07/2016

Do të ndahet mes dy grave, beteja për kryeministrin e ardhshëm të Britanisë së Madhe. Përballë janë Ministrja e Brendshme, Theresa May dhe ajo e Energjisë, Andrea Leadsom.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për pasuesin e Cameron, u fitua sërish nga May, e cila mori mbështetjen e 199 deputetëve konservatorë nga 329 në total.

Në vend të dytë u rendit Leadsom me 84 vota, ndërsa u skualifikua Michael Gove, i cili u rendit në vend të tretë. Ministri i Drejtësisë, i cili gjatë fushatës për referendumin e 23 Qershorit, mbajti një sërë qëndrimesh kundër shqiptarëve që emigrojnë në Britani, mori vetëm 46 vota.

Theresa May triumfoi edhe më herët, në raundin e parë, ku mori 50 % të votave.

Ajo shihet nga analistët politikë në Britaninë e Madhe si personi i duhur për të pasuar David Cameron. Ministrja e Brendshme ka një qasje euroskeptike, por nga ana tjetër ishte një nga njerëzit më besnikë të Kryeministrit në detyrë, Cameron, në fushatën pro qëndrimit në BE. Ndërsa rivalja e saj Leadsom ishte një nga zërat kryesorë pro Brexit.

Gara për shefin e ri të Downing Street 10, do të zhvillohet më 9 Shtator, kur do të votojnë 150 mijë anëtarë të Partisë Konservatore.

Tv Klan






Të ngjashme