A do dalë edhe Holanda nga Bashkimi Europian?
Pas votës së Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, Brukseli është i shqetësuar se anëtarë të tjerë si Holanda, mund të largohen nga blloku. Në Holandë, ashtu si në Britani, ka shqetësime të mëdha mbi imigracionin dhe sovranitetin. Por përkrahësit e BE-së përmendin rolin jetik që luan blloku në begatinë e vendit.
Anketat e fundit tregojnë se gjysma e votuesve holandezë kërkojnë një referendum për anëtarësinë e tyre në BE.
“Si shtet, ne duhet të kemi kufijtë tanë, gjykatat tona, të hartojmë ligjet tona dhe jo të na i bëjnë njerëzit e Brukselit apo të Bashkimit Evropian”, thotë Laurence Stassen, ish-anëtar i Parlamentit Evropian.
Stassen ka qenë anëtar i partisë së ekstremit të djathtë, “Liria”, drejtuar nga Geert Wilders, i cili është tani në krye të anketave të opinionit.
Wilders ka bërë fushatë kundër asaj që e quan “Islamizim i Evropës” dhe ka kërkuar që Holanda, ashtu si Britania të votojë nëse do të qëndrojë apo jo në BE.
Për të tjerë dalja nga BE-ja shihet si një katastrofë ekonomike. Ligji holandez e bën referendumin të vështirë tani për tani. Por me zgjedhjet e marsit të ardhshëm, sëmundja ngjitëse nga e ashtuquajtura “Brexit” mund të ndihet fillimisht në Holandë, një nga anëtaret themeluese të bashkimit.
/tvklan.al