Ky është kamioni me kanabis, ishte nisur drejt Italisë
Ky kamion i ngarkuar me aksesorë mobiliesh fshihte në brendësi të tij rreth 500 kilogram kanabis sativa. Kamioni me targa AA 283 MZ që kishte si destinacion Italinë, drejtohej nga një 48-vjeçar nga Vlora, i cili u ndalua mbrëmjen e së premtes në portin e Durrësit.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Durrësit ka vepruar në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative duke goditur një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pas dyshimeve të grupit të përbashkët të kontrollit kamioni u kalua në skaner ku u zbulua edhe lënda narkotike. Blutë e Durrësit njoftuan se është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit për të cilin jepen vetëm inicialet R.R, lindur në Tiranë dhe banues në Vlorë. Policia thotë se materialet ia ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po përpiqet të zbardhë lidhjet e këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike. Hetimet do të përqëndrohen për të zbuluar ku ishte siguruar droga dhe cilët ishin pritësit e saj në brigjet italiane. Tv Klan