NATO forcon mbrojtjen në Lindje
4 batalione të NATO -s do të vendosen në vendet e Balltikut dhe në Poloni, duke nisur nga viti i ardhshëm. Ky ishte vendimi i Aleancës në ditën e parë të Samitit të Varshavës. Forca shumëkombëshe do të jetë e përbërë nga 4 mijë trupa, 1 mijë prej të cilave do të dërgohen vetëm nga Shtetet e Bashkuara në Poloni.
Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, sqaroi se kjo lëvizje nuk kërcënon askënd dhe se Aleanca Ushtarake nuk kërkon një tjetër Luftë të Ftohtë.
Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s:
“Nuk kërkojmë përballje me Rusinë. Ne duam dialog konstruktiv me Moskën, pasi është fqinji ynë më i madh dhe luan një rol të rëndësishëm për sigurinë në Europë dhe jashtë saj”.
Samiti i 28 vendeve anëtare ishte i një rëndësie të veçantë, pasi është i pari që prej largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Vendet e Balltikut dhe Polonia i frikësohen destabilizimit të vendeve të tyre nga ana e Rusisë, por Stoltenberg theksoi se qëllimi kryesor i Samitit është të sigurojë vendet e rajonit se NATO është e gatshme t’i mbrojë. Rritja e pranisë ushtarake në rajon si pasojë e kërcënimit rus është cilësuar si absurditet nga Kremlini.
Tv Klan