Zbardhen përgjimet që çuan në burg numrin 2 të burgjeve


Zbardhen përgjimet që çuan në burg numrin 2 të burgjeve

15:47 12/07/2016

Përmes përgjimeve, Prokuroria për Krimet e Rënda ka mundur të zbardhë skemën e paracaktimeve të tenderit të ushqimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Janë disa përgjime të kryera, nga data 23 Maj deri në 4 Qershor, ku katër administratorë të firmave të arrestuar komunikojnë me njëri – tjetrin për të përcaktuar fituesin mes tyre, me ndihmën e Nëndrejtorit të Bugjeve, Iljaz Labi, edhe ai i prangosur.

Komunikimet mes pronarëve të firmave dhe numrit dy të burgjeve kanë qenë intensive.

Kështu, në datën 25 Maj, Labi ka komunikuar me Shemsi Sinanin, edhe ky i fundit i arrestuar. Nëndrejtori i kërkon llogari se përse nuk e takon, duke i vënë edhe kushtin që, nëse nuk vinte atë ditë, do ishte më mirë mos të vinte fare.

“Shemsi, po sa duhet me të taku ty o burrë i dheut, 1 vite”,

e pyet Labi, ndërsa Sinani e i përgjigjet se kishte qenë nga jugu dhe nuk kishte patur mundësi të shkonte ta takonte.

Labi i shkruan përsëri: “

Robi thotë, vij, dhe nuk vij… Po se kam bërë njëzet mesazhe o burrë…”

Sinani i thotë se do të shkonte atë ditë, ndërsa Labi i përgjigjet: “

Po nuk erdhe sot, mos hajde fare, nuk të dua fare, po s’erdhe sot”.

Sinani i përgjigjet se do të shkonte patjetër.

Në datën 3 Qershor, Ylber Kalaja, edhe ky i arrestuar, i thotë Shemsi Sinanit që të shkojë të takojë atë dyshin se e kishte çmendur me mesazhe.

“Eee, po shko takoje njëcikë atë dyshin atje o burrë, atje se më çmendi me mesazhe. I thashë, i kam thenë Shemes, me ardhë me të taku…”

Sinani i thotë se kishte vajtur dy herë dhe nuk e kishte gjetur.

Kalaja i thotë përsëri

: “Po shko mbaroje atë punë tani o burr i dheut…”

Ky i fundit e pyet sa duhet t’i japë, 1 apo 2. Kalaja i thotë që 2, se nuk dihet si merr puna, pasi u duhet të mbajnë ekuilibër. Sinani i thotë ndër të tjera se nuk u ngelet gjë, duke pretenduar se ishin shumë 20 milionë lekë të vjetra.

“Po 2 o burrë tani, se s’jemi kalamaj, se s’dihet si mer puna o burrë i dheut. Të mbajmë ekuilibër o burrë i dheut, po hajde e ulim një cikë atë, le të ulët o burrë i dheut, se çar do bëjmë me këto të tjerat a e kupton. A më kupton… Ne kemi mbajt ekuilibër gjithë këto kohë, tani ta dhjesim në fund fare, kot. Më kupton.”

Sinani i përgjigjet: “

Mirë po, s’po na ngelet gjë, e kupton. Tani po them unë siç thoshe ti, tani ti s’po thua gjë…”

Kalaja i thotë përsëri: “…

kemi bërë vetë këtë mënyrë, a e kupton dhe ne s’do ta dhjesim tani në fund fare, kot, a e kupton”.

Sinani bie dakord.

Ylber Kalaja i sqaron se kishin rënë dakord, duke lënë të kuptohen se nuk ishte hera e parë që fitonin tendera në këtë mënyrë. Në datat 4 dhe 6 Qershor janë kryer dhe dy përgjime të tjera, ku katër administratorët e firmave bien dakord për të paguar rryshfetin prej 20 milionë lekë të Nëndrejtori i Burgjeve, Iljaz labi.

Po në 6 Qershor, Ylber Kalaja i thotë Shemsi Sinanit që do të takohen për kafe dhe të marrë me vete vulat e dy subjekteve “Starti” dhe “Kurti” ,duke mbyllur punën.

Tv Klan






Të ngjashme