Basha: Nuk kemi refuzuar Nuland, negociatat vazhdojnë
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha përgënjeshtroi Kryeministrin Edi Rama se Partia Demokratike ka refuzuar propozimin hibrid të ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi.
Për të vetmen pikë që ndan ende palët, atë të rrolit të ndërkombëtarëve në procesin e vetingut, Basha tha se Partia Demokratike ia ka bërë të qartë edhe Ndihmës Sekretares amerikane, Victoria Nuland në takimin që pati me të, se është kundër kompetencave kushtetuese të të huajve, bazuar dhe në opinionin e Venecias.
Deklaratat, Basha i bëri pas mbledhjes së grupit, ku tha se në mënyrë unanime është rënë dakord për të ecur përpara me propozimin e opozitës.
Megjithatë, mësohet se gjatë mbledhjes ka patur debate nga ana e deputetëve, të cilët janë shprehur se nuk duhet të marrin kostot e moskoherencës në këtë proces.
Gjatë kohës që zhvillohej mbledhja me dyer të mbyllura, ish – Kryeministri Berisha u largua për t’u takuar në zyrën e tij me Ambasadorin amerikan, Donald Lu, i cili më pas u drejtua për në selinë blu, ku u takua edhe me Bashën.
Tv Klan