Reforma në Drejtësi, BE: Të keqardhur që PD refuzoi propozimin për kompromis
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar me anë të një deklarate për mediat, për refuzimin nga ana e Partisë Demokratike të propozimit të bërë nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit,Victoria Nuland, për Reformën në Drejtësi.
BE shpreh keqardhje që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis.
“Besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor”,
thuhet në deklaratë.
Kjo, sipas BE, përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues.
“Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”,
thuhet më tej në deklaratë.
BE thotë se tashmë negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. Kjo do të diskutohet gjithashtu nga Zëvendës Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm Helga Schmid gjatë vizitës së saj në Shqipëri, sot dhe nesër./tvklan.al