Kukësi mundet nga Austria Viena
Kukësi e humbi takimin e parë me Austria Viena, i luajtur në stadiumin “Ernst Happel”. Sfida e turit të dytë të Europa League u mbyll me rezultatin 1 – 0, me ekipin shqiptar që zhvilloi një pjesë të dytë më të mirë.
Takimi nisi me zotërimin e skuadrës vendase. Lojtarët e Austria Viena goditën disa herë portën e Koliqit, i cili shmangu golin deri në minutën e 24’. Felipe Pires arriti të kalonte në avantazh austriakët pas një kundërsulmi të shpejtë.
Momenti i parë i rrezikshëm i Kukësit ishte në minutën e 37’ me Liridon Latifin. Ekipi shqiptar u kthye pas pushimit më kërkues.
Latifi goditi disa herë portën, por Hadzikic nuk e lejoi golin. Rastin më të mirë e pati Izair Emini në çastet e fundit të përballjes, por goditja e tij preku shtyllën.
Ndeshja e kthimit do të luhet të enjten e ardhshme në “Elbasan Arena”. Kukësi ka ende shanse për të kaluar në turin e tretë të Europa League, pasi rezultati i takimit të parë e la kualifikimin të hapur.
Tv Klan