Terrori në Francë, Hollande zgjat me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme


Terrori në Francë, Hollande zgjat me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme

07:41 15/07/2016

Ngjarja e rëndë e ndodhur një natë më parë gjatë festimeve të Ditës së Bastille në qytetin jugor të Nice në Francë ka shokuar gjithë opinionin publik.

Presidenti i Francës Francois Hollande tha se sulmi ishte i një “natyre terroriste”. Ai njoftoi për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Francë edhe për tre muaj e cila ishte parashikuar të përfundonte me 26 Korrik.

“Franca është goditur keq, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të luftuar kundër sulmeve të tilla”

– deklaroi Hollande.

“Të gjithë në Francë janë nën kërcënimin e terrorizmit islamik,” tha ai, duke shtuar se “disa fëmijë” ishin në mesin e të vrarëve.

Franca ka qenë në gatishmëri të lartë pas sulmeve të Nëntorit të kaluar në Paris, në të cilën 130 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë  janë plagosur.

Presidenti shtoi se “rezervat operative” do të vendosen për të mbështetur  ushtrinë dhe forcat e sigurisë në të gjithë vendin, ku në fokus të veçantë do të jenë kufijtë.

Një kamion u fut në mes të turmës së njerëzve gjatë festimeve të Ditës së Bastille në qytetin jugor të Nice në Francë duke lënë të paktën 84 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur.

https://www.instagram.com/p/BH37lqkjPB4/

Ngjarja ndodhi në bulevardin Promenade des Anglais, gjatë kohës që njerëzit po shihnin spektaklin e fishekzjarreve./tvklan.al






Të ngjashme