Kalimi i Naser Alijit te Kaiserslautern
Nuk luajti asnjë ndeshje në Euro 2016, por fakti që ishte pjesë e Kombëtares Shqiptare në debutimin e saj historik në finalet e një turneu ndërkombëtar duket se i dha Naser Alijit një tjetër mundësi të rëndësishme në karrierën e tij.
Mbrojtësi siguroi një kontratë të re, duke firmosur për skuadrën gjermane të Kaiserslautern deri në vitin 2019.
“Ishte si një ëndërr për të gjithë ne, jo vetëm për skuadrën, por për të gjithë popullin shqiptar. Mendoj se fituam shumë eksperiencë, madje edhe unë që nuk u aktivizova jam shumë i lumtur që isha pjesë e ekipit”,
ka thënë Aliji në intervistën e parë si futbollist i Kaizerslautern, dhënë në adresën zyrtare të klubit.
Futbollisti 22 – vjeçar u transferua nga Bazeli te skuadra që luan në Bundesligën 2. Naser Aliji arriti marrëveshjen me klubin gjerman menjëherë pas pjesëmarrjes në Euro 2016, ndërsa është bashkuar me skuadrën e re në fazën përgatitore që kjo e fundit po zhvillon në Tirol, përpara nisjes së sezonit të ri të Bundesligës 2.
Tv Klan