Vlora mirëpret “Maratonën e Këngës”


Vlora mirëpret “Maratonën e Këngës”

15:00 16/07/2016

“Maratona e Këngës”, mbërriti në stacionin e dytë të saj, i cili ishte qyteti piktoresk i Vlorës.

Në pikun e sezonit të nxehtë, Vlora ofroi fillimisht një surprize jo fort të këndshme. Shiu dhe era e fortë i bënë producentët artistikë pak dyshues, lidhur me realizimin e koncertit.

Por moti i keq nuk i pengoi vlonjatët dhe pushuesit të mblidheshin tek sheshi pranë skelës, për të ndjekur artistët më të mirë të këngës dhe hitet e tyre.

Koncerti mblodhi mijëra e mijëra admirues të këngës, të cilët gjithë kohën u argëtuan, kënduan dhe kërcyen nën ritmet muzikore. Kjo edhe falë mbështetjes së Bashkisë së Vlorës dhe kryetarit të saj Dritan Leli.

Në skenë u ngjiten emrat më të mëdhenj të këngës shqiptare si Eli Fara, Irma dhe Eranda Libohova, Irini Qirjako, Gjergj Leka, Petrit Lulo, Bujar Qamili. Të shumtë ishin dhe artistët vlonjatë si Maja, Marjola Kaçani, Rovena Ibrahimi, Silva Gunbardhi, apo edhe të rinjtë e grupit Revolt Klan.

Nuk munguan as artistët përtej kufijve, nga Kosova e Maqedonia, si Shkodran Tolaj, Besiana Mehmeti, Agim Poshka, të cilët gjithashtu gjetën publikun e tyre mes pushuesve të shumtë.

Interesimi i jashtëzakonshëm dhe këmbëngulja e publikut deri në mesnatë, zërat e bukur të këngëtarëve, këngët e njohura dhe hitet e reja, u gërshetuan duke krijuar një natë të paharruar në qytetin e Vlorës dhe duke lënë shijen e një koncerti që mesiguri do të zgjasë deri në takimin e ardhshëm, buzë liqenit të Pogradecit.

Tv Klan






Të ngjashme