Meta: Zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike nëse Reforma dështon
Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta sfidoi kryeministrin Rama dhe kryetarin e opozitës Basha si dhe ambasadorët Lu e Vlahutin për t’u mbledhur të hënën në selinë e kryesisë së Kuvendit për të gjetur konsensusin mbi Reformën në Drejtësi.
“Ashtu sikurse Ambasadorit Lu po më soset durimi. I ftoj të dy aktorët kryesorë politik në vend, z.Rama dhe z. Basha, por pse jo edhe dy ambasadorët e nderuar që janë angazhuar dhe që janë lodhur për këtë reformë, z. Lu dhe znj. Vlahutin, që ne të mbyllemi këtu në Kuvendin e Shqipërisë.”
Por sfida nuk ishte pjesa më e fortë e qëndrimit të Metës. Me durim të sosur për zvarritjen e Reformës ashtu si ambasadori Lu, ai tha se nëse ky takim dështon, atëherë është gati për të krijuar një qeveri teknike që do ta miratojë Reformën dhe do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme, për shkak të rënies se besueshmërisë.
“Rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh, e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara. Jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga kryetar parlamenti.”
Meta nuk i fshehu kritikat për kryetarët e dy forcave kryesore politike, Ramën e Bashën, përsa u përket bisedimeve të zhvilluara mes tyre për Reformën. Kritika, që sipas tij, kanë të bëjnë me qëllimin për të cilin ata shprehen se duan ta miratojnë këtë reformë.
“Kemi vënë re në vend të këtyre përpjekjeve, shkëmbime të vazhdueshme të akuzave se kush e ka vendi në burg, a thua se kjo reformë bëhet thjeshtë për të futur disa politikanë në burg. Por nuk bëhet reforma dhe nuk arrihet konsensusi duke thënë se do të shkosh ti në burg, por duke filluar : unë do të shkoj në burg nëse kam shkelur ligjin.”
Kryeparlamentari u shpreh hapur kundër vendimmarrjes se ekspertëve ndërkombëtare në procesin e vettingut dhe kundër miratimit të Reformës pa opozitën, duke theksuar se kjo është një situatë kritike dhe se vendi mund të rrëshqasë në destabilitet.
“Unë nuk jam që drejtësinë ti japim një koncesion të huajve. Unë shoh një rrezik tepër serioz në rast se kjo reformë nuk do të miratohet me konsensus. Sipas Venecias rrezikun serios të dështimit të saj sepse dihet që duhen 2/3 e votave, mazhoranca aktuale nuk i ka këto vota. Miratimi i reformës në mënyrë të diskutueshme në mënyrë jo plotësisht legjitime mund të hapë një situatë krejt të re e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor.”
I pyetur për propozimin e zonjës Nuland dhe marrëdhëniet me ambasadorin Lu, Meta tha e mbështet draftin e Nuland, por shtoi se kishte marrë dakordësine e ndihmës sekretarit Ëilliam Broënfield, për ta miratuar reformën vetëm sipas Komisionit të Venecias, për të cilin tha se është i vetmi arbitër në këtë çështje.
“Gjithçka thotë Komisioni i Venecias për rolin e ndërkombëtarëve, të reflektohet sepse edhe zonja Nuland u shpreh që patjetër të respektohet roli i ndërkombëtarëve dhe sovraniteti i vendit.”
Në këtë dalje të tij, Kryetari i Kuvendit, bëri edhe një propozim tjetër, që në bazë ka sërish zgjedhjet e parakohëshme.
“Ky është parlament që ka probleme. Dekriminalizimi i ka kushtuar shumë imazhit të vendit tonë, për shkak të atyre që futën nëpër lista njerëz të cilët nuk kontrollojnë veten në Kuvendin e shqipërisë. Disa deputetë kanë humbur mandatet, disa tjerë kanë procese gjyqësore dhe ky do të ishte momenti i rëndësishëm që ky parlament të mbahej mend për mirë, voto Reformën në Drejtësi.”
Tv Klan