Hillary Clinton fituese ndaj Donald Trump
Në prag të dy Kuvendeve ku do të emërohen kandidatët e Partisë Demokrate dhe asaj Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, tre sondazhe të reja, tregojnë se demokratja Hillary Clinton ka një avantazh të ndjeshëm ndaj republikanit Donald Trump, edhe pse votuesit amerikanë nuk kanë ndonjë simpati të madhe për të dy kandidatët.
Ish-sekretarja e Shtetit Clinton, e cila kërkon të bëhet presidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara, megjithatë kryeson garën me Trump, miliarder i pasurive të patundshme.
Sondazhi i përbashkët i gazetës “Washington Post” dhe televizionit “ABC News” tregon se Clinton ka një mbështetje prej 47 për qindësh, ndërsa Trump 43 për qind.
Sondazhi tjetër i “NBC News” dhe “The Wall Street Journal” ishte 46 për qind për Clinton dhe 41 për qind për Trump, ndërsa sondazhi i CNN-it dhe “ORC International” tregon se ish-Sekretarja ka 49 për qind mbështetje, ndërsa Trump 42 për qind.
/tvklan.al