Meta – Basha: Reforma, me konsensus
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dolën me një qëndrim të unifikuar për miratimin e Reformës në Drejtësi, nga takimi që zhvilluan në mesditë. Reforma në Drejtësi, do të votohet të enjten dhe vetëm me konsensus e sipas Komisionit të Venecias. Kryeparlamentari Meta e theksoi këtë fakt, duke përjashtuar çdo plan tjetër.
“Reforma në Drejtësi do të votohet. Ka vetëm një plan, mos mendojnë as plan B as C. Plani është me konsensus sipas Venecias. Jemi pranë marrëveshjes. Dua të falenderoj Ramën dhe Bashën sepse janë konstruktivë pavarësisht retorikave pas takimeve. Janë të angazhuar për miratimin e saj me konsuesusn sipas Venecias.
Do të zgjidhen edhe dy çështjet sipas Venecias dhe askush mos shpresojë se do minojë konensusin që të miratojë një kushtetutë të re me vota të diskutueshme”.
Meta shprehu bindjen se reforma do të kalojë këtë të enjte dhe u kërkoi të gjithë aktorëve vendas e të huaj, të përqendrohen vetëm tek konsensusi sipas Komisionit të Venecias.
“Vetëm përmes konsensusit dhe sipas Venecias. Nuk mund të luftohet korrupsioni as me korrupsion dhe aq më tepër me krim të organizuar. Të enjten Kuvendi fillon dhe nuk mbaron derisa kjo reformë të miratohet me konsensus”.
“Ajo që pengon është retorika helmuese publike. I bëj thirrje edhe aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë që të përqëndrohen tek çështja dhe Venecia. Shqiptarët e presin. Do të ketë konsensus patjetër. Washingtoni dhe Brukseli do ta duartrokasin. Kryeministri është më konstruktivi, sepse na ka thënë miratojeni me SHBA e BE dhe e votoj”.
Ndërsa Basha, duke akuzuar Ramën për prishjen e negociatave, tha se i kishte kërkuar Kryeparlamentarit që për çështjet që mund të mbeten pezull, të shkonin bashkë në Bruksel për ta zgjidhur atë.
“Dy çështjet nëse nuk zgjidhen sot i kam bërë thirrje Metës që ta zgjidhin në Bruksel për të shpartalluar komplotin e Ramës kunder Reformës në Drejtësi”.
Takimi mes Metës e Bashës u zhvillua në prani të kryetarëve të grupeve parlamentare.
Tv Klan