Shkon në 45 mijë numri i “tradhëtarëve” në Turqi


Shkon në 45 mijë numri i “tradhëtarëve” në Turqi

08:00 20/07/2016

Të paktën 45 mijë persona janë ndaluar, pushuar apo pezulluar nga detyra nga qeveria turke, në vetëm pak ditë që prej tentativës për grusht shteti.

Rrethi i atyre më pak besnikë ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan u zgjerua edhe më shumë gjatë ditës së martë, duke përfshirë mësues, akademikë dhe njerëz të medias.

Qeveria thotë se ata janë aleatë të klerikut Fethullah Gulen, i cili nga ana e tij vijon t’i mohojë akuzat.

Kryeministri turk Binali Yildirim deklaroi se Gulen udhëheq një “organizatë terroriste”. “Do t’i godasim deri në themel”, tha ai para parlamentit.

Turqia po ushtron presion ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ekstraduar Gulen. Kjo çështje, sipas Shtëpisë së Bardhë, u diskutua edhe gjatë një bisede telefonike, një ditë më parë, mes Presidentit amerikan Barack Obama dhe Presidentit Erdogan.

Amerika ka deklaruar se do ta ekstradojë klerikun vetëm nëse Turqia paraqet prova për përfshirjen e tij në tentativën për grusht shteti të së premtes. Megjithatë autoritetet turke insistojnë se Gulen duhet të ekstradohet edhe vetëm duke u bazuar në dyshime të forta.

Nga ana e tij, kleriku që jeton në Pensilvani, i ka konsideruar këto akuza “qesharake”./tvklan.al






Të ngjashme