Basha në “Opinion”: Do ta votojmë reformën të enjten


Basha në “Opinion”: Do ta votojmë reformën të enjten

08:41 20/07/2016

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike me gazetarin Blendi Fevziu në studion e Opinion, deklaroi se Reforma në Drejtësi do të votohet në parim ditën e enjte.

Basha tha se ka vetëm një kleçkë që duhet zgjidhur gjatë orëve të fundit.

Lideri demokrat e bëri këtë deklaratë mbrëmjen e të martes, ku një panel gazetarësh dhe analistësh të ftuar në emision po diskutonin mbi këtë çështje të nxehtë të ditëve të fundit.

“Mbrëmë u ra dakord për të votuar variantin hibrid. Por, për fat të keq u prish konsensusi në mesnatë pasi u fut një dispozitë poshtëruese, përjashtuese për shqiptarët që dëshirojnë të aplikojnë në organet e vetingut.

Theksoj se ky është një propozim poshtëtues sepse cënon normat dhe të drejtat e njeriut. Kam biseduar sot me përfaqësuesit më të lartë të SHBA dhe BE dhe kam besimin tim të patundur se një normë e tillë ligjore, e padenjtë do të hiqet.

PD në emër të çdo shqiptari edhe të votuesve ka arritur një fitore për ta sjellë draftin kushtetues këtu ku është sot, me norma dhe standarde të bazuara në Komisionin e Venecias. Nuk duhet të kishte qenë një betejë por kështu e bëri kundërshtari ynë politik (Rama).

PD do të votojë për miratimin në parim, por ky poshtërim do të bjerë se nuk ka rrugë tjetër. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona.

Sovraniteti një përgjegjësi kushtetuese dhe llogari kushtetuese japin institucionet kombëtërare shqiptare. Të huajt kanë rol monitorimi. Kjo është një betejë e PD e fituar për kushtetuetshëmërinë,”

tha Basha.

I pyetur nga Fevziu lidhur me ndonjë marrëveshje të mundshme me Metën dhe me votimin e reformës ditën e enjte, kreu i PD u shpreh:

-A keni pasur marrëveshje me Metën?

Asnjë marrëveshje me Ilir Metën. Absolutisht asnjë.

-A do ta votoni reformën të enjten?

Shqiptarët do të kenë të gjitha votat e PD për reformën./

tvklan.al






Të ngjashme