170 vjet burg për grupin e drogës, furnizonte me kokainë disa zona në kryeqytet
Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 170 vjet burgim për 17 anëtarë të një grupi që shpërndante lëndë narkotike të forta, heroinë dhe kokainë, në disa zona të Tiranës.
Këta persona, së bashku dhe me 9 të tjerë, që po gjykohen në procese të ndara, akuzohen për shitje të lëndëve narkotike.
Ata kishin krijuar një rrjet të sofistikuar shpërndarje heroine dhe kokaine në zonat e Bllokut, Tiranës se Re, Rrugës së Elbasani dhe Saukut.
Xhiroja e tyre llogaritej në rreth 50 mijë euro në muaj. Në hetim dhe gjatë gjykimit, Prokuroria e Tiranës arriti të provonte se anëtarët e këtij grupi funksiononin në bazë të hierarkisë, me role të ndara: furnizues, transportues, shpërndarës.
Organizatorët e grupit kishin krijuar edhe kushtet teknike për përpunimin dhe ndarjen e lëndës narkotike. Personat kryesore siguronin 150-200 gramë lëndë narkotike të fortë në ditë, të cilën e përpunonin në një mini-laborator të krijuar në një apartament në Tiranë.
Nga përpunimi, sasia e lëndës narkotike trefishohej me anën e përzierësve dhe përfundonte në tregun e përdoruesve të narkotikeve në kryeqytet. Këta persona përfitojnë uljen e dënimit me një të tretën për shkak se kanë pranuar gjykimin e shkurtuar./TV KLAN