Akuzat për drogën, Policia e Shtetit: PD bën politikë me punën tonë
Policia e Shtetit ka reaguar ndaj fakteve të publikuara ditën e sotme nga Partia Demokratike, ku kjo e fundit akuzon Kryeministrin Rama dhe bandën e tij, siç e cilëson ajo, për implikim në biznesin e drogës.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit ka thënë se PD vijon të bëjë politikë me rezultatet dhe sukseset e policisë. Ndërsa theksoi se lufta kundër kultivimit të kanabisit nuk është dhe nuk mund të jetë provë e pretendimeve të PD, por vetëm provë e luftës që policia bën çdo ditë.
“Policia e Shtetit, në mënyrë të përsëritur, falënderon PD për jehonën që i bën punës së saj.
Nuk janë të rralla rastet kur PD ka bërë politikë me punën e policisë, ashtu siç nuk është hera e parë që PD bën politikë me rezultatet dhe sukseset e saj.
Policia e Shtetit thekson se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është një luftë e përditshme. Këtë e dëshmojnë rezultatet e arritura, të cilat nuk kanë asnjë referencë krahasimi me kohën e qeverisjes së PD.
Lufta kundër kultivimit të kanabis nuk është e nuk mund të jetë provë e pretendimeve të PD, por vetëm provë e luftës që bën Policia e Shtetit ditë për ditë.
Ftojmë PD të denoncojë raste konkrete pranë autoriteteve të ligjit, e jo të bëjë politikë, aq më pak me vetë punën dhe rezultatet e policisë së shtetit në luftën kundër drogës,”
thuhet në deklaratë./tvklan.al