E ngriti pasurinë nga prostitucioni, Gjykata i sekuestron pronat
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka sekuestruar dyqane e troje në Tiranë dhe Elbasan, si edhe dy shoqëri private në emër të shtetasit Arben Lamçe.
Ky person është dënuar në Itali me 14 vjet burgim, për akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit. Ai është arrestuar në Elbasan dhe ekstraduar në vitin 2011, në Itali, ku po vuan dënimin dhënë nga Gjykata e Breshias. Pas ekstradimit, nisi fillimisht hetimin për pasurinë e tij.
Nga ky hetim rezultoi se Lamçe kishte disa prona të paluajtshme dhe shoqëri tregtare. Por, disa muaj pas prokuroria e Elbasanit pushoi hetimin për shkak se autoritete italiane nuk sollën letër-porositë e kërkuara.
Gjithsesi, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin ndaj të dënuarit, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”. Nga hetimi u faktua se Altin Lamçe ka të regjistruar në emër të tij disa troje dhe lokale në Tiranë dhe Elbasan.
Ai këto pasuri nuk i justifikonte me të ardhurat që merrte duke ngritur dyshime se ishin produkt i shfrytëzimit të prostitucionit. Po ashtu, ai është administrator i “Elba Import”, një kompani private transporti.
Ndërkohë, edhe një kompani tjetër, “Elba Beton”, ishte krijuar prej tij dhe më pas i ishte kaluar në pronësi një tjetër personi. Ky veprim rezultoi të ishte fiktiv. /TV KLAN