Himarë/ Turisti rus gjen vdekjen pasi u godit nga një mjet motorik lundrues
Në Shqipëri është e frikshme të bësh plazh, pasi mund të humbasësh jetën nga motorët e ujit që lëvizin mes kokave të njerëzve.
Kjo i ndodhi paraditen e sotme një pushuesi rus 43 - vjeçarit Denis Kaiumov, që notonte në plazhin e Livadhit në Himarë. Trupi i tij u gjet i masakruar nga helikat e një mjeti motorik vetëm 50 metra larg bregut. Është vetë policia që konfirmon se rreth orës 11:40, midis Himarës dhe Livadhit u pa një person i dëmtuar brenda në det nga ku u mor dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Himarës, ku dhe ndërroi jetë. Nga kqyrja që i është bërë trupit të viktimës, ka rezultuar se ka marrë dëmtime në pjesën e shpinës dhe të gjymtyrëve. Policia thotë se viktima është 43 - vjeçari Denis Kaiumov, një turist rus i cili po pushonte me gruan dhe vajzën e tij. Ai dyshohet se mund të jetë goditur nga ndonjë mjet i shpejtë lundrues, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Në distancën ku u gjet trupi i viktimës është rreptësisht e ndaluar të lundrojnë mjete të tilla motorike, e megjithatë personat që posedojnë këto mjete, gjejnë guximin t’i afrohen bregut duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Dhe pasojat e kësaj papërgjegjshmërie rezultuan tragjike. Megjithë patrullimin e policisë në plazhet dhe vijën bregdetare, duket se ka ende persona që nuk e kanë frikë ligjin dhe që me papërgjegjshmërinë e tyre shkaktojnë viktima. Ndoshta nevojiten kontrolle më të ashpra që të tilla ngjarje të mos përsëriten dhe që pushuesit të futen në det pa frikën se mund të goditen nga motorët e ujit. Nga ana tjetër edhe qytetarët duhet të jenë të kujdeshëm për të mos dalë nga zona e e ujit, ku lejohet të notojnë dhe ku nuk cënohet siguria e jetës së tyre. Tv Klan