Kombëtarja e basketbollit para Eurobasket 2017
Kombëtarja e basketbollit të meshkujve po përgatitet për kualifikueset e Eurobasket 2017. Fillimisht grumbullimi është në Tiranë dhe më pas do të zhvillohen dy turne miqësor në Qipro dhe Estoni që grupi i lojtarëve të ambientohet, pasi Shqipëria nuk zhvillon ndeshje zyrtare prej disa vitesh me ekipin e parë. Trajneri Antonis Constantinides sqaron se po punohet për ngritjen e një ekipi për të ardhmen.
Antonis Constantinides – Trajneri i Shqipërisë:
“Ne kemi një numër të madh lojtarësh që luajnë nga shumë vende të botës dhe po përpiqemi që të gjejmë elementë të tjerë. Po punojmë për ndërtimin e një ekipi të qëndrueshëm, për të vendosur objektivat për të ardhmen. Në këto ndeshje do të përpiqemi të japim maksimumin dhe të fitojmë të paktën ato në shtëpi. Ne besojmë që mund të jemi në vendin e dytë në grup, por është shumë e vështirë”.
Shqipëria është pjesë e Grupit F, ku janë edhe Mali i Zi, Gjeorgjia e Sllovakia. Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari beson se do të kemi një ekip dinjitoz në të ardhmen.
Avni Ponari – President i FSHB:
“Ne kemi filluar një projekt që shpresojmë që kjo kombëtare në dy apo tre vitet e ardhshëm të jetë dinjitoze dhe të ketë rezultate të shkëlqyera”.
Faza kualifikuese e Eurobasket 2017 do të nisë me 31 Gusht dhe do të përfunojë më 17 Shtator të këtij viti.
Tv Klan