Mungesa e sigurisë në plazhe, policia: Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa


Mungesa e sigurisë në plazhe, policia: Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa

18:19 03/08/2016

Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një njoftimi për shtyp, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Himarë, ku një turist i huaj gjeti vdekjen teksa lahej në det, nga një mjet motorik lundrues.

Policia sqaron se gjatë periudhës 1 Qershor deri në 3 Korrik 2016, është hartuar dhe po zbatohet Programi i Punës së Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe Plani për shpërndarjen e forcave e mjeteve policore për garantimin e rendit e të sigurisë publike në zonat turistike dhe ka marrë masa të plota si në forca dhe në mjete për garantimin e  sezonit turistik.

Por, Policia konstaton mangësi të theksuara nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zbatim të VKM Nr. 321, datë 28. 05.2014 “Për sigurinë në det, plazhe, në ujrat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”.

Detyrimet e pazbatuara nga këto Njësi vendore janë:

  • identifikimi i zonave të përshtatshme si zona çlodhëse të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme;
  • dhënia e autorizimit për plazhe;
  • dhënia e lejeve dhe autorizimeve për përdorim publik, sporte ujore;
  • heqja e lejeve në rast se përdoruesit nuk përmbushin kushtet;
  • vënia e gjobave për përdorimin jashtë kritereve të mjeteve lundruese dhe të kushteve higjeno–sanitare.

Sipas këtyre detyrime që burojnë nga aktet ligjore, qeverisja vendore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcakton:

  • zonat e përdorimit të mjeteve lundruese argëtuese, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen dhe korridoret e hyrjes e daljes nga uji;
  • distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete;
  • oraret e përdorimit të tyre;
  • vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese si: “Kujdes – zonë ku ndalohet përdorimi i mjeteve lundruese”, “Kujdes – zonë e ndaluar për të notuar”.

Çdo zonë e deklaruar për plazh duhet të ketë:

  • kulla vrojtimi për çdo 250 – 300 m, me lartësi 3 metra dhe çdo kullë të ketë vrojtues të trajnuar;
  • mjete sinjalizimi dhe komunikimi;
  • flamuj, postera për vendet e lejuara për lundrim e argëtim, për pushues.

Nisur sa më sipër, Policia rithekson se organet përgjegjëse nuk kanë marrë masa dhe nuk janë krijuar kushtet e nevojshme qoftë edhe në një plazh të vetëm, megjithë komunikimin e vazhdueshëm shkresor të kryer nga ana e Policisë së Shtetit.

Nisur nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot, ku humbi jetën një pushues në zonën e Himarës, Policia e Shtetit informon se Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa zyrtare për plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga VKM nr. 321.

Në çdo takim të zhvilluar me Task Forcën, Policia e Shtetit thotë se ka ngritur problematikën për masat e munguara për sigurinë në plazhe nga ana e pushtetit vendor.

Megjithatë shërbimet e Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar jetën e qetësinë e pushuesve në plazhe, sidomos gjatë ushtrimit të aktivitetit me mjete lundruese.

Gjatë kësaj periudhe nga Policia Kufitare e Migracionit ka evidentuar:

  • 76 raste dhënie ndihme ndaj 130 personave;
  • 21 raste të parandalimit të konflikteve
  • 37 masa administrative ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese për shkelje të ndryshme me një vlerë prej 671.000 lekësh;
  • 10 mjete lundruese janë bllokuar për mungesë dokumentacioni dhe shkelje të rregullave të lundrimit në det.

Policia e Shtetit bën me dije se do të sekuestrojë dhe ndëshkojë me masa të ashpra të gjitha mjetet lundruese që thyejnë distancën e sigurisë prej 300 metrash nga vija bregdetare, nuk respektojnë korridoret e hyrje-daljes në det, si edhe qarkullojnë me shpejtësi të lartë në zonat e plazheve.

Gjithashtu, do t’i rekomandojë të gjitha Njësive vendore marrjen e masave konkrete ndaj çdo subjekti që nuk ka respektuar parashikimet ligjore për sigurinë e pushuesve në det.

Policia e Kufirit dhe Migracionit do të monitorojë në vazhdimësi zbatimin e masave në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar dhe në njësitë operuese përgjatë bregdetit, duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë shtetërore dhe subjekte që janë të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik./tvklan.al






Të ngjashme