Zbardhet ekspertiza paraprake e vdekjes së turistit rus
Turisti rus Denis Kaiumov ka vdekur nga shoku i rëndë traumatiko-hemoragjik, si pasojë e dëmtimeve që janë shkaktuar me mjete të forta mprehtëse me mekanizmin e goditje –përplasjes.
Ky është konkluzioni paraprak i ekspertëve mjeko- ligjor, të cilët kanë konstatuar tre plagë të thella që dyshohet të jenë shkaktuar nga helikat e motorëve të skafit.
43-vjeçari ndërroi jetë pak minuta pasi iu dha ndihma e parë, në spitalin e Himarës.
Ndërsa hetimet janë përqendruar për të provuar lidhjen shkakësore midis skafit të sekuestruar të 44-vjeçarit Fatmir Kuçi dhe plagëve në trupin e viktimës.
Fatmir Kuçi u arrestua si i dyshuar për goditjen nga pakujdesia të turistit rus, ndërsa gjatë marrjes në pyetje ai i mohoi akuzat, me pretendimin se i dha vetëm ndihmën e parë.
Të shtunën do të zhvillohet vlerësimi i masës së sigurisë ndaj 44-vjeçarit, për të cilin prokuroria pritet të kërkojë 30 ditë arrest me burg, deri sa të sqarohet plotësisht situata gjatë fazës paraprake të hetimeve.
Menjëherë policia kufitare ka nisur një operacion në shkallë të gjerë, për bllokimin e mjeteve të lundrimit pa dokumentacionin përkatës.
Zyra e shtypit të policisë së shtetit bëri me dije se vetëm sot janë bllokuar 7 mjete, ndërsa në total që prej 1 Qershorit, 20 të tillë.
Tv Klan