Prokuroria: Ngjarja në Himarë, nën hetim punonjësit e policisë
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në plazhin e Livadhit, në Himarë, ku humbi jetën një turist i huaj pasi u godit nga një mjet lundrues, që drejtohej nga Flamur Kuçi, organi i akuzës thotë se për këtë ngjarje, janë duke u pyetur si persona nën hetim, të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” edhe punonjësit e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Himarë. Kjo pasi akuza ka dyshime mbi mënyrën si kanë operuar ata, në lidhje me ngjarje në fjalë.
Më poshtë njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Në datën 03.08.2016 ora 21.00 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Flamur Kuçi, pasi dyshohet se me datën 03.08.2016, rreth orës 11.30 në vendin e quajtur Livadh, Bashkia Himarë, në det, disa metra larg bregut me mjetin e tij lundrues skaf, ka aksidentuar në det shtetasin e huaj Denis Kaiumov, i datëlindjes 1973, banues në Shën Petërburg Rusi, i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra.
Nga hetimet ka rezultuar se viktima prej disa ditësh qëndronte si pushues në Himarë sëbashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën, prej rreth 15 – ditësh. Ata frekuentonin plazhe të ndryshme në zonat përreth Himarës. Më datë 03.08.2016 kjo familje ishte duke frekuentuar plazhin në vendin e quajtur Livadh dhe rreth orës 11:15 kanë vendosur të largohen nga plazhi në fjalë. Shtetasi Denis Kaiumov ka hyrë në det të notojë ndërsa bashkëshortja e tij me vajzën janë nisur me këmbë për në shtëpinë e tyre të pushimit. Ky moment ka qenë edhe kontakti i fundit i familjarëve të tij me të ndjerin deri sa janë njoftuar nga shoqëruesja e tyre E.D. për ngjarjen e ndodhur dhe se familjari i tyre ndodhej në Spitalin e Vlorës.
Me mbërritjen e viktimës në Spitalin e Himarës, është bërë kqyrja fizike e jashtme e trupit ku janë konstatuar plage si ato prerëse në pjesën e shpinës dhe pjesët anësore të trupit, si dhe dëmtime të llojeve të tjera në shpinë dhe gjymtyrët e poshtme.
Menjëherë pas kësaj viktima është transportuar për në morgun e spitalit rajonal Vlorë dhe më pas për në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë. Gjithashtu ka rezultuar se personi që ka qenë i pari që ka konstatuar ngjarjen dhe transportuar viktimën në Spitalin e Himarës është shtetasi Fatmir Kuçi, me mjetin e tij lundrues motoskaf. Në pohimet e para, ky shtetas ka treguar se ndodhej prej disa ditësh për pushime në Himarë sëbashku me familjen dhe kishte dalë për xhiro me skafin e tij, që është edhe mjeti me të cilin dyshohet se ka aksidentuar viktimën në det, duke mohuar faktin që të jetë ai personi që e aksidentoi dhe duke pohuar se e ka gjetur rastësisht në det në atë gjendje. Ai gjithashtu ka pohuar se pranë tij në ato momente ka patur edhe mjete të tjera lundruese dhe pas tij ka qenë edhe një mjet gomone, të cilit i ka bërë me shenjë dhe personi që e drejtonte gomonen ka qëndruar paralel me skafin dhe një person nga bordi i i gomones është hedhur në det bashkë me shtetasin Fatmir Kuçi, duke e hipur në skafin e këtij te fundit dhe janë nisur në drejtim të bregu të detit.
Janë kqyrur mjetet lundruese të ujit në pronësi të shtetasit Fatmir Kuçi, motorskaf dhe motorr uji (xhetski), ku në kuvertën e skafit, ndërmjet sediljes dhe motorëve të mjetit lundrues, është konstatuar një kasetë, në këndin e sipër të krahut të djathtë të së cilës janë konstatuar njolla me ngjyrë kafe dhe të kuqe, si ato të gjakut të mpiksur. Sërish në kuvertën e skafit, ndërmjet motorit të majtë dhe kasetës së mësipërme, janë konstatuar njolla të tjera me ngjyrë të kuqe si ato të gjakut të mpiksur, të cilat janë marrë në cilësinë e provës për ekzaminime të mëtejshme.
Lidhur me këto njolla gjaku, shtetasi Fatmir Kuçi ka sqaruar se ato janë lënë në momentin që ka gjetur të dëmtuar viktimën dhe e ka hipur në bordin e skafit të tij për ta çuar drejt bregut dhe për t’i dhënë ndihmën mjekësore.
Mjetet lundrues motorskaf me gjatësi 11.7 m, me ngjyrë të bardhë dhe një motor deti me ngjyrë jeshile dhe blu me mbishkrimin “Jamaha”, në pronësi të shtetasit Fatmir Kuçi, sëbashku me dokumentacionin e tyre, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe këto mjete janë lënë në ruajtje të punonjësve të Policisë të Pikës së Kalimit Kufitar, Himarë.
Në deklarimet me rëndësi për rrethanat e ngjarjes kanë rezultuar deklarimet e shtetasve V.K , J.K. dhe M.M. ku është vërtetuar fakti se djali i mitur i të dyshuarit i ka shkuar pas motorskafit me motorin e ujit dhe ka konstatuar të atin e tij, i cili hipte në motorskaf një person të dëmtuar. Në këtë moment, i dyshuari i ka thënë djalit të tij të dilte në breg dhe të njoftonte ambulancën.
Në deklarimin e tij, shtetasi Joni Kuçi, në prani të nënës së tij ka pohuar faktin se e ka ndjekur të atin në det pa dijenin e tij dhe e ka parë motorskafin të ndaluar në mes të detit dhe ka parë që i ati i tij i jepte ndihmën një personi të gjakosur.
Gjithashtu është kqyrur dhe janë marrë një kopje e librave dhe rregjistrave që administroheshin nga punonjësit e policisë së P.K.K.Himarë. Në lidhje mbi këtë ngjarje janë pyetur edhe punonjësit e Policisë Kufitare, në lidhje me ngjarjen, mbi mënyrën si kanë operuar ata.
Po kështu nga verifikimet e kryera deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se mjetet lundruese, skafi është i regjistruar në emër të personit nën hetim Fatmir Kuçi dhe ky mjet lundrues është me flamur nga shteti i Maltës. Po kështu rezulton se personi nën hetim Fatmir Kuçi, është i pajisur me leje drejtimi për mjete lundruese me peshë totale deri në 10 ton (e vlefshme edhe për mjetin me të cilin dyshohet se është shkaktuar aksidenti, i cili ka peshë totale deri në 6.8 ton), por nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi nga autoritetet kompetente, për mjetin lundrues me të cilin dyshohet se është shkaktuar aksidenti.
Njëkohësisht në vazhdën e kryerjes se veprimeve hetimore në lidhje me këtë ngjarje, janë kryer veprime duke u pyetur si persona nën hetim të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248, edhe punonjësit e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Himarë.
Për sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar se ndodhemi përpara elementëve të figurës të veprës penale të “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 85 dhe 248 i Kodit Penal. /tvklan.al