Maqedonia në zi kombëtare
Maqedonia është në zi pas fatkeqësisë natyrore të së premtes, ku nga përmbytjet humbën jetën 21 persona, në mesin e të cilëve edhe dy fëmijë.
Qeveria ka marrë vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës në rajonin e Shkupit dhe Tetovës për 15 ditë. Nga ana tjetër vazhdojnë kërkimet në lagjet më të goditura të Shkupit, si Hasanbeg, Haracinë, Stajkovc e Smillkovc për gjetjen e personave të tjerë që konsiderohen ende të zhdukur.
Ekipet kanë dalë në terren për të pastruar dëmet e shkaktuara nga shirat e së premtes, por dhe reshjet e natës së kaluar të cilat rënduan edhe më shumë situatën. Ndërkohë është formuar edhe një komision i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve të pronave dhe të mbjellave. Përmbytjet që goditën rëndë Shkupin lanë 21 viktima prej të cilëve 20 janë identifikuar tashmë.
Viktima më e re është një fëmije 2-vjeçar. Numri i të plagosurve arriti në 70, ndërsa 7 prej tyre akoma po mbahen për kurim në spitalet e qytetit.
Reshje të shumta ka pasur edhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Këtë mëngjes Presidenti Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut maqedonas Gjorge Ivanov për viktimat e shkaktuara nga përmbytjet dhe uron kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj emergjence natyrore.
Tv Klan