Punimet për shtratin e lumit të Tiranës, bashkia kërkon zhvendosjen e banorëve
Përfundojnë 90 % e punimeve të projektit për lumin e Tiranës. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky projekt shmang përmbytjet dhe se i vetmi problem për përfundimin e plotë të projektit, mbeten banorët që kanë ndërtuar pranë shtratit të lumit.
“
Bashkia e Tiranës u ka ofruar dy mundësi strehimi familjeve që jetojnë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve në shtratin e lumit: bonusin e qerasë ose strehimin në Qendrën Tranzitore të Emergjencave. Sot jemi në një situatë emergjence, për të mos mësuar nga gabimet tona, por ndoshta për të mësuar nga fatkeqësitë e të tjerëve. Sot është momenti që ne të marrim disa vendime: Vendimi që Bashkia e Tiranës ka marrë është që t’u kërkojë të gjithë këtyre banorëve të komunitetit rom, që janë duke banuar sot në shtrat të lumit, që të pranojnë ofertën e Bashkisë. Krahas bonusit të qerasë, një tjetër mundësi për të gjithë këta banorë është strehimi në ambientet e repartit ushtarak në Shkozë
”, deklaroi Veliaj.
Ai bëri edhe një thirrje për organizatat që punojnë me komunitetin rom që të pranojmë propozimet e bashkisë dhe t\i hapin rrugë përfundimit te projektit tek zona e Bregut të Lumit.
Projekti për Lumin e Tiranës do të ndikojë dhe në rritjen e infrastrukturës kryesore dhe dytësore të kanalizimeve të ujërave të zeza në të dyja anët e lumit./TV KLAN