Droga, rikthehet romanca kriminale Shqipëri – Itali


Droga, rikthehet romanca kriminale Shqipëri – Itali

15:47 10/04/2014

droga corriereRomanca antike kriminale e trafikut të lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë po riaktivizohet në nivelet e dikurshme.

Kështu shkruan e përditshmja italiane Corriere della Sera, në një artikull të zgjeruar mbi trafikun e marijuanës që prodhohet në Lazarat e që përfundon në Itali, teksa vë theksin tek shqetësimi i autoriteteve italiane mbi këtë aktivitet kriminal të organizuar.

Sipas të përditshmes italiane, sasitë e drogës nga Shqipëria drejt Italisë shtohen më ritme galopante nga viti në vit. Në vitin 2013, përgjatë brigjeve pulieze, janë sekuestruar nga autoritetet italiane 7 ton marijuanë prodhuar kryesisht ne Lazarat. Ndërsa vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2014, Guardia di Financa italiane ka sekuestruar 4 ton, më shumë se gjysma e sasisë së kapur gjatë gjithë vitit të kaluar.

Rajoni i Pulias është edhe pika e takimit mes grupeve kriminale shqiptare dhe atyre italiane, të cilët tashmë kanë nisur të riaktivizojnë lidhjet e ngushta, ashtu si në periudhën pas eksodit të madh të shqiptarëve drejt Italisë.

Tani ka ndryshuar edhe sistemi i transportit të marijuanës. Ai është modernizuar dhe sofistikuar. Corriere della Sera sjell edhe shëmbuj, ku përmendet paketimi i sasive të mëdha të marijuanës me dy kanoe mbi njëra-tjetrën në formë siluri të mbyllura hermetikisht, që tërhiqen në det nga gomone apo Scooter uji të fuqishëm.

Riaktivizimi dhe fuqizimi i asaj që Corriere Della Sera e quan si flota shqiptare e transportit të drogës, që po pushton Europën, e ka origjinën tek shtimi i kultivimit të kanabisit në Lazarat – shkruan e përditshmja italiane.

Në shkrim theksohet se droga prodhohet përmes teknologjive moderne të siguruara, nga grupet kriminale të fqinjit jugor Greqi, madje shpesh herë edhe në sera. Parcelat e mbjella me marjuanë shtohen dita ditës. Tashmë përllogariten 300 plantacione në një hapësirë prej 319 hektarësh.

4.5 mld euro është vlera e lëndës narkotike e destinuar për shitje në Europë, ku vlera mesatare për kilogram arrin në 300 euro. Ndërsa kostoja që grupet kriminale puljeze u paguajnë miqve të tyre shqiptarë përllogaritet në 150 mijë euro, vetëm për të transportuar 1 ton drogë. Këtë javë, shqetësimi i autoriteteve italiane për riaktivizimin e trafikut të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë, u trajtua edhe në emisionin Porta a Porta, në Rai Uno. Gazetari i këtij emisioni tregoi përmes pamjesh dhe intervistash me trafikantë e policë, se Lazarati është tërësisht nën kontrollin e trafikantëve dhe se policia nuk ka mundur të depertojë në këtë territor.






Të ngjashme