Akuzat e PD për lidhjet me krimin, reagon Policia e Shtetit
Policia e shtetit ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga Partia Demokratike për lidhjet e drejtuesve të policisë me krimin, duke përmendur edhe emrat e të implikuarve.
Përmes një deklarate, policia thekson se lufta kundër paligjshmërisë dhe veçanërisht rezultatet në luftën kundër kultivimit të drogës, janë përgënjeshtrimi më i fortë për këto akuza të ngritura nga PD. Gjithashtu i ka bërë thirrje Pd që për çdo informacion të pretenduar apo për këdo zyrtar që sipas saj është i implikuar, t’i drejtohet Prokurorisë.
“Policia e Shtetit është institucioni më i sulmuar nga opozita. Pothuaj çdo ditë PD ka akuzuar çdo drejtues policie për lidhje me krimin.
Por rezultatet në luftën kundër paligjshmërisë dhe veçanërisht rezultatet në luftën kundër kultivimit të drogës, janë përgënjeshtrimi më i fortë për këto akuza.
Policia e Shtetit fton edhe njëherë PD-në që për çdo informacion të pretenduar dhe për këdo zyrtar që sipas saj është i implikuar, t’i drejtohet Prokurorisë.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të luftojë krimin dhe paligjshmërinë.
PD-ja duhet të vendosë nëse do të rreshtohet në krah të Policisë për të luftuar krimin, apo do të qëndrojë në anën tjetër të llogores duke luftuar Policinë.
Ata që sot luftojnë Policinë, i bëjnë shërbimin më të mirë krimit.”/tvklan.al