Ligji i Vetting -ut, reagon Unioni i Gjyqtarëve


Ligji i Vetting -ut, reagon Unioni i Gjyqtarëve

14:12 12/08/2016

Pas shqetësimit të bërë publik nga Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, se Vetting -u nuk duhet trajtuar si hakmarrje politike, ka reaguar edhe Unioni i Gjyqtarëve. Ky i fundit i përgjigjet deklaratës së Partisë Socialiste dy ditë më parë, sipas së cilës, vetting -u do të pastrojë sistemin nga autorët e papërgjegjshëm të vendimeve gjyqësore të turpshme e të paligjshme. Në reagimin e tij, Unioni i Gjyqtarëve kërkon nga klasa politike të mos e përdorë procesin e vetting -ut si një mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Unioni i Gjyqtarëve fton të gjithë klasën politike, median dhe shoqërinë civile të mos e përdorë procesin e vetting -ut si një mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, që vazhdojnë të kryejnë me përkushtim detyrën e tyre kushtetuese edhe pse nën këtë klimë aspak normale. Procesi i vetting -ut është një proces kushtetues, që do të kryhet nga institucione kushtetuese, mbi bazën e parimeve të kontrollit dhe balancës, sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe jo nga partitë politike, të cilat jo vetëm që nuk duhet të jenë pjesë e këtij procesi, por duhet të nxisin dhe pjesën tjetër të shoqërisë sonë, të lënë të qetë këto institucione dhe punonjësit e drejtësisë të kryejnë sa më mirë, me ndershmëri dhe përkushtim, bazuar vetëm në prova dhe fakte, detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji.”

Unioni thotë se procesi i Vetting -ut, i cili do të zhvillohet mbi baza të qarta kushtetuese dhe jo sipas orientimeve të partive politike është kërkuar dhe mirëpritur që në krye të herës, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund përbaltjes së përgjithshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Projektligji për Vetting -un është ende në duart e ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT, të cilët pak ditë më parë janë njohur me propozimet e Partisë Demokratike. Drafti pritet të kalojë për diskutim në Komisionin e Reformës dhe brenda muajit Gusht të votohet në seancë plenare.

Tv Klan






Të ngjashme