Vritet në mënyrë misterioze i riu shqiptar në policinë greke
Shqiptari Pëllumb Marnikollaj, 29 vjeç, rezulton të ketë humbur jetën në rrethana ende të paqarta, disa ditë më parë. Ai dyshohet se ka humbur jetën në rajonin e policisë “Kato Patisia”, të Athinës.
Pretendimet e të afërmve janë se, ai është dhunuar barbarisht në komisariatin grek duke gjetur vdekjen. Ambasada shqiptare në Athinë i ka kërkuar shpjegime policisë greke rreth ngjarjes. Kjo e fundit ka sqaruar se “me datën 3 gusht rreth orës 14:30, Marnikollaj është hedhur nga dritarja, pasi e kuptoi se do ta arrestonin”. Sipas autoriteteve greke për Pëllumb Marnikollaj kishte urdhra të tjera arresti, që duheshin zbatuar. Viktima Pëllumb Marnikollaj jetonte në Greqi si emigrant. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg. Prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar duke e lënë në detyrim paraqitje. Me datën 3 gusht me kërkesë të policisë greke ai është paraqitur në komisariat ku pas disa orësh ka gjetur dhe vdekjen. Ka qenë insistimi i vëllait të 29-vjeçarit për gjetjen e të vëllait, i cili kishte humbur kontaktet me familjen prej disa ditësh. Pas disa ditësh kërkime trupi i pajetë i emigrantit është gjetur në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për tu varrosur duke u klasifikuar si një kufomë pa identitet. Ambasada shqiptare në Athine thotë se është në pritje të raportit përfundimtar të ngjarjes i cili pritet të dalë pas disa ditësh. Ky rast ka sjellë në vëmendje atë të Ilia Karelit, shqiptarit që u dhunua barbarisht nga gardianët në burgun e Nigritas ku edhe humbi jetën./ TV KLAN