
Policia vret të riun më ngjyrë, shpërthejnë protestat
Një agjent policie vrau një 23-vjeçar, afro-amerikan, në Miluoki gjatë një ndjekjeje në këmbë. Menjëherë në zonë është mbledhur një turmë e irrituar personash të zemëruar me policinë.
Sipas mediave amerikane janë shënuar përplasje të dhunshme me forcat e rendit ku nuk kanë munguar edhe djegiet e makinave.
Një karburant është përfshirë nga zjarri për shkak të të shtënave me armë zjarri. Zjarrfikësit e kanë pasur të vështirë të lokalizojnë zjarrin, për shkak të gjendjes së tensionuar në zonë.
Gjatë përplasjeve një agjent policie u plagos, ndërsa 3 persona janë arrestuar. Edhe apeli i familjes së viktimës nuk arriti të ndalë dhunën.
Kryebashkiaku i Miluokit bëri apel për qetësi, ndërsa konfirmoi se disa dyqane janë grabitur dhe djegur.
Në deklaratën e policisë thuhet se një patrullë ka ndaluar një makinë me dy persona në të, por ata kanë dalë dhe janë larguar me vrap.
Njëri prej tyre ishte i armatosur dhe për këtë agjentët e kanë qëlluar. Viktima ka precedentë të mëparshëm penalë. Polici që e qëlloi është pezulluar nga detyra deri në sqarimin e çështjes. /TV KLAN